Spotify ka prezantuar një funksion të ri që i lejon përdoruesit të bisedojnë me miqtë direkt brenda aplikacionit, duke synuar ta bëjë platformën më sociale. Deri tani, ndarja e këngëve dhe podkasteve bëhej kryesisht përmes links në rrjete të tjera, por me këtë opsion, Spotify dëshiron të mbajë historikun e përmbajtjes së ndarë në aplikacion dhe t’i ofrojë përdoruesve mundësinë për të biseduar pa u larguar nga aplikacioni.

Në fazën fillestare, mesazhet janë vetëm një-për-një dhe mund të nisen vetëm me persona me të cilët përdoruesi ka ndarë më parë përmbajtje, ka krijuar një playlist bashkëpunuese, ka marrë pjesë në një “jam” ose “blend”, ose është pjesë e një plani Family apo Duo. Përdoruesit duhet të pranojnë kërkesën përpara se biseda të fillojë. Gjithashtu, nëse dikush dërgon një link të Spotify në aplikacione si Instagram, WhatsApp apo TikTok, marrësi mund ta përdorë atë për të nisur një bisedë brenda Spotify.
Mesazhet shfaqen te seksioni Messages nën ikonën e profilit, ku përdoruesit mund të reagojnë me emoji. Spotify ka sqaruar se mesazhet janë të enkriptuara gjatë ruajtjes dhe transmetimit, por jo me enkriptim “end-to-end”. Kompania kontrollon mesazhet për shkelje të rregullave dhe përdoruesit mund t’i raportojnë ato.

Funksioni po shpërndahet aktualisht për përdoruesit mbi 16 vjeç, si premium ashtu edhe falas, në disa tregje të Amerikës Latine dhe Jugore, vetëm në versionin mobil. Në javët në vijim, ai do të shtrihet në SHBA, Kanada, Brazil, BE, MB, Australi dhe Zelandë të Re.
Ky zhvillim vjen pas hapave të Spotify për të shtuar elementë socialë, si komentet në podkaste dhe një feed të ridizenjuar me fokus video. Megjithatë, disa përdorues kanë kritikuar ndërfaqen si tepër të ngarkuar. Për ata që nuk dëshirojnë këtë veçori, mesazhet mund të çaktivizohen në Settings > Privacy and social.
