Apple ka paditur (PDF) në një gjykatë federale në Kaliforni YouTuber-in Jon Prosser dhe një person tjetër, Michael Ramacciotti, duke i akuzuar për vjedhje dhe publikim të sekreteve tregtare në lidhje me përditësimin e ardhshëm të sistemit operativ iOS 26.
Sipas padisë së paraqitur të enjten, Apple pretendon se Ramacciotti ka përdorur telefonin e një punonjësi të Apple për të marrë informacione konfidenciale rreth iOS 26 dhe ia ka dërguar ato Prosser-it, i cili më pas i ka publikuar në kanalin e tij në YouTube, Front Page Tech, në janar.
Apple thotë se Prosser e bindi Ramacciotti-n — një analist produktesh dhe montazhier që “kishte nevojë për para” — të hynte në telefonin e mikut të tij që punonte në Apple dhe të merrte të dhënat sekrete.

Prosser, në një deklaratë për Reuters, mohoi çdo përfshirje në vjedhje dhe tha se nuk kishte dijeni për mënyrën se si ishte marrë informacioni. Ai shtoi se mezi pret të shpjegojë versionin e tij në gjykatë. As Ramacciotti dhe as përfaqësues të Front Page Tech nuk kanë komentuar ende.
Apple u njoftua për skemën nga një sinjalizues anonim në prill dhe kërkon dëmshpërblim financiar (shumë e pacaktuar) dhe një urdhër gjykate që ndalon të dy personat të përdorin apo të shpërndajnë më tej informacionet sekrete.
Rasti thekson qasjen rigoroze të Apple për mbrojtjen e sekreteve të produkteve të saj përpara lançimeve të mëdha siç është iOS 26, i cili pritet të dalë këtë vjeshtë.