Fondacioni Novo Nordisk dhe Fondi Shtetëror për Eksport dhe Investime i Danimarkës (EIFO) njoftuan një investim prej 80 milionë eurosh për ndërtimin e kompjuterit kuantik më të fuqishëm në botë. Iniciativa quhet QuNorth dhe synon të revolucionarizojë fusha si zbulimi i barnave dhe shkenca e materialeve.
Kompjuterët kuantikë janë në gjendje të përpunojnë kombinime të panumërta molekulash dhe të dhënash në të njëjtën kohë, gjë që i mundëson zgjidhjen e problemeve që kompjuterët klasikë nuk mund t’i trajtojnë dot, sidomos në mjekësi dhe kimi.
Kompjuterin do ta ndërtojë kompania amerikane Atom Computing, ndërsa Microsoft—që ka laboratorin e saj më të madh kuantik në Danimarkë—do të ofrojë softuerin. Pajisja do të quhet Magne, sipas një figure të mitologjisë nordike, djali i Thor-it, që përfaqëson forcën e madhe.
Ndërtimi do të nisë në vjeshtë dhe kompjuteri pritet të vihet në punë deri në fund të vitit 2026.
Fillimisht do të funksionojë me 50 kubite logjike. Një kubit logjik përbëhet nga shumë kubite fizike dhe ofron përpunim më të qëndrueshëm të informacionit kuantik. Në nëntor 2024, Microsoft dhe Atom arritën të krijonin 24 kubite logjike—rekordi më i lartë deri tani.
Jason Zander, nënkryetar i Microsoft, tha se me 50 kubite logjike arrihet “avantazhi kuantik”, ku kompjuterët kuantikë fillojnë të tejkalojnë ato klasikë. Me 100 kubite do zgjidhen probleme shkencore, me disa qindra — probleme komplekse në kimi, dhe me 1,000, zgjidhje pothuajse për çdo sfidë shkencore.