Matt Turnbull, një producent ekzekutiv në Xbox Game Studios Publishing, është përballur me kritika të ashpra pasi sugjeroi që punonjësit e pushuar nga puna të përdorin inteligjencën artificiale për të përballuar stresin emocional. Në një postim në LinkedIn, tashmë të fshirë, Turnbull përmendi mjete si ChatGPT ose Copilot për të lehtësuar ngarkesën emocionale dhe mendore që vjen me humbjen e vendit të punës. Komentet e tij u bënë menjëherë pas shpalljes nga Microsoft se do të pushonte deri në 9,000 punonjës nga disa divizione, përfshirë edhe sektorin e Xbox.
Postimi u kritikua gjerësisht online, ku disa përdorues e cilësuan atë si “të neveritshëm” dhe “pa ndjeshmëri”, veçanërisht për shkak të momentit të papërshtatshëm. Turnbull pranoi në postim se pushimet nga puna janë të vështira dhe tha se “nëse po kaloni ose po përgatiteni për një pushim, nuk jeni vetëm“. Ai pranoi se mjetet e AI mund të shkaktojnë reagime të forta, por qëllimi i tij ishte të jepte mbështetje konstruktive në një situatë të vështirë.

Ai sugjeroi përdorimin e AI për planifikim karriere, ndërtim CV-je, përmirësim të profilit në LinkedIn, dhe pyetje për qartësi emocionale dhe vetëbesim. Ai inkurajoi ndarjen e këtyre mjeteve nëse ndihmojnë të tjerët.
Microsoft nuk ka komentuar mbi postimin. Kompania po investon fuqishëm në AI, me 80 miliardë dollarë të planifikuar për qendra të dhënash. Këto shkurtime përbëjnë rreth 4% të fuqisë punëtore globale të Microsoft prej 228,000 punonjësish. Disa projekte të video-lojërave mund të jenë prekur gjithashtu.