Adhuruesit e xhin-tonik mund të përballen me ndryshime në shijen klasike të kokteilit të tyre të preferuar për shkak të ndryshimeve klimatike, paralajmërojnë ekspertët. Një studim nga Qendra Ndërkombëtare për Birrë dhe Distilim në Universitetin Heriot-Watt zbuloi se moti i paqëndrueshëm po ndikon në përbërjen kimike të kokrrave të dëllinjës – përbërësi kyç që i jep gin-it shijen e veçantë me nota pishash, agrumesh dhe druri.
Shkencëtarët analizuan kokrrat e dëllinjës të mbledhura nga Shqipëria, Bosnja, Maqedonia, Mali i Zi, Serbia, Kosova dhe Italia. U zbulua se bërthamat nga secili rajon kishin profile kimike unike, por shumë të ndikuara nga reshjet. Vitet me më shumë shi reduktonin përbërësit e rëndësishëm të shijes si Alpha-humulene (shije pikante), Beta-caryophyllene (agrumore dhe e ëmbël), dhe Beta-myrcene (shije menteje), duke dhënë një gin me aromë më të zbehur. Ndërsa vitet e thata e rrisnin intensitetin e tyre.

Studimi tregoi një rënie të ndjeshme të reshjeve mes viteve të vjeljes – nga 1,218mm në vitin 2017 në 774mm në 2018 – duke theksuar paqëndrueshmërinë klimatike. Me jugun dhe juglindjen e Europës që përballen me valë të nxehti dhe reshje ekstreme, cilësia e gin-it është në rrezik.
Kjo paraqet sfida për prodhuesit, të cilët varen nga profile të qëndrueshme shijeje për të përmbushur pritshmëritë e konsumatorëve. Një zgjidhje e mundshme është zhvendosja e kultivimit të dëllinjës në rajone me klimë më të qëndrueshme, ngjashëm me prodhuesit e shampanjës që po investojnë në jug të Anglisë.