Samsung po përgatitet të prezantojë telefonin e tij të shumëpërfolur me tre pjesë të palosshme, Galaxy G Fold, i cili mund të shpaloset në një tablet me ekran prej 9.96 inçësh. Pajisja është projektuar për një treg shumë të veçantë, me çmime që pritet të fillojnë nga 3,000 deri në $3,500– një shumë dukshëm më e lartë se Galaxy Z Fold 6, që kushton rreth $2,000.
G Fold vjen me një ekran të jashtëm 6.49 inç në gjendje të palosur dhe mund të zgjerohet në gati 10 inç kur hapet plotësisht. Duke qenë një pajisje me dizajn kompleks dhe prodhim të kufizuar për shkak të paneleve fleksibël OLED, Samsung pritet ta prodhojë atë në sasi shumë të vogla – vetëm rreth 300,000 njësi. Kjo është shumë më pak krahasuar me rreth 5 milionë njësi të serisë Galaxy Z Fold/Flip që prodhohen çdo tremujor.
Një tjetër kufizim i madh është fakti që G Fold fillimisht do të jetë i disponueshëm vetëm në dy tregje: Koreja e Jugut dhe Kinë. Për adhuruesit e teknologjisë në SHBA, opsioni i vetëm mund të jetë importimi i pajisjeve, të paktën në fazën fillestare. Zgjerimi në tregje të tjera do të varet nga kërkesa.

Samsung nuk do të jetë kompania e parë që prezanton një smartphone me 3 pjesë të palosshme. Huaëei tashmë ka prezantuar Mate XT Ultimate, që kushton rreth $2,800 dhe arrin në 10.2 inç kur shpaloset.
G Fold pritet të lançohet në tremujorin e tretë të vitit, afërsisht në të njëjtën kohë me Galaxy Z Fold dhe Flip 7. Megjithatë, për shkak të natyrës së tij ekskluzive, ka gjasa që të prezantohet në një event të veçantë dhe jo në Unpacked kryesor.