Microsoft ka nisur ditën e martë me lajmërimet për shkurtimin e stafit të kompanisë, si pjesë e përpjekjeve të saj të vazhdueshme për të rritur eficiencën dhe fleksibilitetin organizativ në kompani. Kësaj here shkurtimet nuk ishin të të bazuara në performancë, si shkurtimet gjatë vitit 2024 dhe pritet të prekin rreth 3% të stafit global të kompanisë – afërsisht 6,000 punonjës nga një total prej 228,000 të raportuar në qershor 2024.
Edhe pse Microsoft nuk ka konfirmuar nëse zhvillimet në teknologjinë e inteligjencës artificiale kanë luajtur një rol në këto reduktime, kompania deklaroi se ndryshimet organizative janë të nevojshme për ta pozicionuar më mirë në një treg dinamik. Ndryshe nga pushimet e mëparshme, të cilat ishin të fokusuara kryesisht në performancën individuale, këto shkurtime janë më të gjera dhe përfshijnë nivele, departamente dhe rajone të ndryshme — përfshirë edhe LinkedIn, që është në pronësi të Microsoft.

Gjatë mbledhjes më 30 prill, zyrtarja financiare Amy Hood theksoi se kompania është e përqendruar në ndërtimin e ekipeve me performancë të lartë dhe në rritjen e fleksibilitetit përmes reduktimit të shtresave menaxheriale.
Lëvizja e Microsoft është pjesë e një trendi më të gjerë të shkurtimeve në industrinë e teknologjisë gjatë vitit 2025, teksa kompanitë përballen me pasiguri ekonomike dhe përpiqen të optimizojnë operacionet, shpesh duke përdorur mjete të AI dhe automatizim. Deri më tani këtë vit, mbi 53,000 punonjës të teknologjisë janë pushuar nga puna në 126 kompani, sipas Layoffs.fyi — duke ndjekur 153,000 pushime në vitin 2024 dhe mbi 264,000 në vitin 2023.
Kjo tregon një valë të qëndrueshme shkurtimesh në sektorin e teknologjisë.