Galaxy Z Fold7 i Samsung do të prezantohet këtë vit, me shumë mundësi në korrik. Ne kemi dëgjuar tashmë se kjo pajisje do të vijë me Android 16 dhe One UI 8.0 menjëherë, diçka që u bë e mundur nga fakti që Google e shtyu afatin kohor të lëshimit të versionit të ri Android diku në tremujorin e dytë (prill-qershor).
Tashmë një raportim i ri tregon disa detaje më të rëndësishme rreth asaj se çfarë të presim nga pajisja e palosshme e ardhshme e Samsung. Nuk është një surprizë që kjo pajisje do të fuqizohet nga Snapdragon 8 Elite për Galaxy SoC, pasi dhe seria Galaxy S25 fuqizohet nga i njëjti procesor.

Z Fold 7 gjithashtu supozohet se do të vijë me një kamerë të përmirësuar selfie nën ekran, një “ekran më të fortë me shtresa të reja“, rezistencë të përmirësuar ndaj ujit dhe pluhurit, një rrudhë më të vogël, një dhomë më të madhe avulli dhe madje edhe altoparlantë të përmirësuar dhe një motor dridhjesh më të mirë se paraardhësi i tij.
Por prisni, ka edhe më shumë!
Pajisja thuhet se është gjithashtu më e hollë, 4.5 mm kur pajisja është e hapur dhe ekrane më të mëdha: 8″ i brendshëm, 6.5″ i jashtëm.
Më në fund, duhet të ketë një kamerë kryesore 200 MP, ndoshta e njëjta që përdoret nga Galaxy S25 Ultra. Kjo është një listë mjaft e gjatë përmirësimesh për një seri që nuk ka parë shumë përmirësime gjatë viteve të fundit. Fold7 ka potencialin për ta rikthyer Samsung në liderin e pajisjeve të palosshme kur e krahasoni këtë pajisje me konkurrentët e tij kinezë.
Kjo është, sigurisht, nëse këto raportime janë të vërteta.