Një raportim i ri pretendon se syzet e ardhshme inteligjente Ray-Ban të Meta do të kenë të integruar një lloj ekrani, pikërisht pasi Google dhe Samsung po bashkëpunojnë për të bërë të njejtën gjë me ndihmën e Android XR.
Financial Times raporton se Meta po planifikon të prezantojë një palë syze inteligjente Ray-Ban “sa më shpejt të jetë e mundur në vitin e ardhshëm” të cilat kanë të integruar një ekran. Me shumë mundësi ky produkt do të prezantohet në gjysmën e dytë të 2025, dhe do të kenë aftësinë të shfaqin të gjitha njoftimet e ardhura në aplikacionet e kompanisë dhe përgjigjet nga Meta AI.
Meta shfaqi syzet e saj inteligjente “Orion” me një ekran të avancuar në shtator, por teknologjia u tha se ishte shumë e shtrenjtë për t’u sjellë në treg deri më tani. Ky raport nënkupton që Meta mund të sjellë një formë jo aq të avancuar të ekranit në këto syze të ardhshme.
Google dhe Samsung kanë treguar vizionin e tyre për Android XR, me një headset nga Samsung që vjen së bashku me një palë syze inteligjente. Syzet prototip të Google janë të ngjashme për nga forma me Ray-Bans ekzistuese të Metës, por janë të pajisura me një ekran. Android XR do të arrijë në vitin 2025 për herë të parë në headset-in e Samsung, thotë Google.