Një studim i publikuar në Journal of Medical Internet Research ka zbuluar se video lojërat open-world (lojëra të cilat vijnë me ambiente të hapura dhe shumë mënyra për të arritur një objektiv si përshembull GTA) mund të përmirësojnë ndjeshëm relaksimin dhe mirëqenien mendore të studentëve të sapodiplomuar.
Lojërat open-world, të njohura për mjediset e tyre të shtrira dhe autonominë e lojtarëve, ofrojnë një formë arratisjeje konjitive që i ndihmon lojtarët të shkëputen nga stresorët e përditshëm dhe të përmirësojnë përqëndrimin e tyre.
Studimi, një bashkëpunim midis studiuesve nga Imperial College London dhe Graz University në Austri, përdori një qasje të metodave të përziera: ata kombinuan të dhënat e anketimit nga 609 lojtarë dhe intervistat e thelluara të 32 lojtarëve.
Titujt e njohur si The Legend of Zelda: Breath of the Wild dhe Tears of the Kingdom u zbuluan se u japin lojtarëve një ndjenjë lirie dhe autonomie, duke i lejuar ata të eksplorojnë dhe të ndërveprojnë me botët virtuale me ritmin e tyre. Kjo “arratisje” ishte e lidhur ngushtë me uljen e niveleve të stresit dhe përmirësimin e shëndetit mendor. Analiza tregoi se luajtja e lojërave open-world rriti drejtpërdrejt nivelet e relaksimit të pjesëmarrësve, gjë që ndikoi pozitivisht në mirëqenien e tyre.
“Këto lojra mund të ofrojnë një ndjenjë eksplorimi, një shans për të zhvilluar aftësi të reja, një ndjenjë pozitiviteti, madje edhe qëllim dhe kuptim në jetë.” tha prof. Andreas B. Eisingerich. Përvojat gjithëpërfshirëse të lojërave mund të shërbejnë si një metodë për menaxhimin e stresit dhe përmirësimin e shëndetit mendor. Studimet e ardhshme mund të eksplorojnë potencialin terapeutik afatgjatë, veçanërisht për menaxhimin e stresit dhe ankthit në popullata të tjera.