Shërbimi Street View në Google Maps është tepër i rëndësishëm në ditët e sotme, i cili na ndihmon të orientohemi rreth vendndodhjes së një restoranti apo dyqani që duam të vizitojmë në një zonë të panjohur më parë. Mirëpo Street View është i pranishëm kudo, jo vetëm në vendet urbane me rrugë të shtruara, të cilat mund të regjistrohen fare lehtë nga një makinë në lëvizje.
Po në terrene të vështira, si arrin Google të ofrojë Street View?
Për të regjistruar pamjet nga terrene të vështira, siç është rasti i shkretëtirës Liwa në Emiratet e Bashkuara Arabe, Google duhej të improvizonte, pasi nuk mund të përdorte si zakonisht makinat me kamera. Për këtë arsye, në vitin 2014 ata vendosën të montonin kamerat në gungën e deveve.
Përdorimi i deveve kishte për qëllim të shmangte çdo lloj ndikimi në mjedisin rrethues. Paketa Trekker është ajo që Google përdor për të kapur imazhet e Street Vieë ku makinat e tij nuk mund ose nuk duhet të shkelin – megjithëse tradicionalisht, ato mbahen dhe komandohen nga njerëz, jo devetë.
Google ka përdorur më parë Trekker për të regjistruar Grand Canyon, veriun e egër të Kanadasë dhe shumë destinacione të tjera.
Ky projekt nga Google zbulon disa imazhe mahnitëse dhe pamje gjithëpërfshirëse nga një vend ku shumë nuk do të mund të udhëtojnë kurrë personalisht, gjë që është magjia e programit të tij të zgjeruar Street View në përgjithësi.