Microsoft ka lançuar në heshtje aplikacionin e ri Copilot për të gjitha pajisjet Android.
Aplikacioni i ri është i disponueshëm në Google Play Store, duke ofruar akses në Copilot të fuqizuar nga AI pa pasur nevojë për instalimin e aplikacionit Bing. Me sa arrijmë të kuptojmë nga listimi, Copilot në Android ka qenë i disponueshëm për gati një javë, por një version i iOS nuk ofrohet ende.
Aplikacioni Copilot i Microsoft në Android është shumë i ngjashëm me ChatGPT, me akses në aftësitë e chatbot-it, gjenerimin e imazheve përmes DALL-E 3 dhe aftësinë për të hartuar tekst për email dhe dokumente. Ai gjithashtu përfshin akses falas në modelin më të fundit GPT-4 të OpenAI, diçka për të cilën duhet të paguani nëse jeni duke përdorur ChatGPT.
Lançimi i aplikacionit Copilot për Android vjen pak më shumë se një muaj pasi Microsoft e riemëroi Bing Chat në Copilot. Microsoft fillimisht nisi përvojën e re AI në fillim të këtij viti brenda motorit të tij të kërkimit Bing, duke integruar një ndërfaqe të ngjashme me ChatGPT në rezultatet e kërkimit. Ndërsa kjo është ende e disponueshme, Microsoft e ka hequr markën Bing Chat dhe ka lejuar që Copilot të jetë më shumë një përvojë e pavarur që ekziston edhe në domenin e tij të dedikuar në copilot.microsoft.com – njëlloj si ChatGPT.
Ofrimi i aplikacioneve celulare për Copilot duket si hapi tjetër logjik i zgjerimit të kësaj përvoje të pavarur të Copilot, veçanërisht pasi Bing Chat Enterprise u riemërua gjithashtu në vetëm Copilot. Ndërsa nuk ka asnjë shenjë të një versioni iOS të Copilot për momentin, ne mendojmë se një i tillë do të vijë shumë shpejt. Deri atëherë, mund të përdorni gjithmonë aplikacionin Bing në një iPhone ose iPad.