Interneti është i mbushur me modele. Jo, nuk po flasim për modele të mëdha gjuhësore, por modelet që janë pjesë e industrisë së modës.
Por shumë herë, për shkak të një ndryshimi në orar ose anulimeve të minutës së fundit, modelet nuk janë në gjendje të përmbyllin detyra të ndryshme në kohë. Kjo është ajo që ndodhi me Rubén Cruz, themeluesin e një agjencie të quajtur The Clueless. Duke u përballur me një rënie të klientelës verën e kaluar dhe me pengesa për shkak të vonesave të modeleve në projekte, Cruz së bashku me ekipin e tij krijuan Aitana– një modele 25-vjeçare e gjeneruar nga inteligjenca artificiale.
Ajo është nga Barcelona, ka flokë rozë dhe ka bark të përsosur. Me afro 130 mijë ndjekës në Instagram, Aitana është shumë e kërkuar. Ajo fiton rreth $12,600 në një muaj të mirë. Cruz tregoi për Euronews se ata krijuan Aitana në mënyrë që The Clueless “të mund të bënte një jetë më të mirë dhe të mos varej nga njerëzit e tjerë që kanë ego, që kanë mani, ose që thjesht duan të bëjnë shumë para duke pozuar”.
Krijuesit e Aitanës i kanë dhënë asaj një personalitet dhe janë përpjekur ta bëjnë atë të duket sa më njerëzore. Një nga postimet në profilin e saj në Instagram është ajo e pjesëmarrjes së saj në koncertin e Blink 182 në Barcelonë më 4 tetor 2023. Koncerti ndodhi, por të gjithë e dimë që Aitana në fakt nuk mori pjesë në të.
Një person komentoi në postimin e saj, “Puna më e mirë e AI që kam parë ndonjëherë“. Në prapaskenë, ekipi i The Clueless orkestron jetën e Aitanës, duke planifikuar javën e saj dhe duke vendosur aktivitetet e saj përmes një përzierjeje unike të inteligjencës artificiale dhe ekspertizës së dizajnit. Suksesi i saj ka çuar në lindjen e Maia, motrës pak më të rezervuar të Aitanës.
Agjencia po merr shumë kërkesa nga markat që duan modele virtuale. Ata shohin një të ardhme ku këto modelet virtuale zënë vendin e njerëzve realë si ambasadorë të markës.