Rregullatorët amerikanë po hetojnë kompaninë e inteligjencës artificiale OpenAI mbi rreziqet që ky sistem sjell për konsumatorët, në rastet kur ChatGPT që gjeneron informacion të rremë.
Federal Trade Commission i dërgoi një letër kompanisë së mbështetur nga Microsoft ku kërkon informacion se si i trajton rreziqet ndaj reputacionit të njerëzve. Me sa duket FTC dëshiron që përmes këtyre hetimeve të rrisë kontrollin dhe të rregullojë mënyrën e përdorimit të inteligjencës artificiale. Shefi ekzekutiv i OpenAI, Sam Altman thotë se kompania do të bashkëpunojë me FTC duke iu përgjigjur kërkesave të tyre.
ChatGPT gjeneron përgjigje ndaj pyetjeve të përdoruesve brenda sekondave, në vend të shfaqjes së links të ndryshëm që gjenerohen nga një kërkim tradicional në internet. ChatGPT dhe produkte të ngjashme të AI, pritet të ndryshojnë në mënyrë dramatike mënyrën se si njerëzit marrin informacionin që po kërkojnë në internet.
Rivalët e teknologjisë po garojnë për të ofruar versionet e tyre të teknologjisë, edhe pse ky sistem po kundërshtohet për fakte të ndryshme, duke përfshirë këtu të dhënat që përdor, saktësinë e përgjigjeve dhe nëse kompania ka shkelur të drejtat e autorëve teksa po trajnonte teknologjinë.
Letra e FTC-së pyet se çfarë hapash ka ndërmarrë OpenAI për të adresuar potencialin e produkteve të saj për të “gjeneruar deklarata mbi një person që janë të rreme, mashtruese, përçmuese ose të dëmshme“.
FTC po shikon gjithashtu qasjen e OpenAI ndaj privatësisë së të dhënave dhe se si merr të dhëna për të trajnuar dhe informuar AI. Altman tha se OpenAI kishte shpenzuar vite duke studiuar për sigurinë dhe muaj për ta bërë ChatGPT “më të sigurt dhe përpara se ta publikonte atë“.
“Ne mbrojmë privatësinë e përdoruesve dhe dizenjojmë sistemet tona për të mësuar rreth botës, jo individëve privatë”, tha ai në Twitter.
Altman u shfaq para një seance dëgjimore në Kongres në fillim të këtij viti, në të cilën ai pranoi se teknologjia mund të jetë një burim deklaratash të gabuara. Ai bëri thirrje që të vendosen rregulla për industrinë në zhvillim dhe rekomandoi që të formohet një agjenci e re për të mbikëqyrur sigurinë e AI.