Shumë prodhues të makinave të ndryshme e mbushin hapësirën e brendshme plot me bokse në mënyrë që të krijojnë një eksperiencë sa më të mirë dëgjimi për pasagjerët dhe drejtuesit.
Megjithatë Jaguar Land Rover (JLR) ka menduar të përmirësojë akoma dhe më tepër këtë eksperiencë duke bërë dhe sediljet pjesë të muzikës. Në modelin më të ri luksoz Range Rover Sports SV Edition One përfshihet teknologjia “Body and Soul Seat”, e cila bën që sedilja të vibrojë në bazë të fekuencave të ndryshme të muzikës.
Nuk ka rëndësi nëse jeni drejtuesi i makinës apo një pasagjer, pasi të gjithë personat e ulur në këtë makinë do të ndiejnë këtë vibrim. Ky sistem shoqëron 29 bokset e tjera të pranishme në makinë nga Meridian, dhe JLR tregon se vibrimet mund të përmirësojnë shëndetin tuaj përmes 6 programeve të ndryshme.
Një studim i mbështetur nga JLR ka arritur në përfundimin se “Body and Soul Seat” arrin të relaksojë dhe të ulë stresin duke rritur ndryshueshmërinë e rrahjeve të zemrës.
Për momentin Range Rover Sport SV Edition One është shitur për këtë vit, nëse ju ishit interesuar për të blerë një makinë të tillë.