Xiaomi 13 Ultra është këtu sërisht për të vendosur rekorde të reja në benchmarks për fotografimin në industrinë e smartphone-ve. Ky flagship sjell disa inovacione të reja të përfshira në hardware-in më të avancuar të momentit.
Kamerat janë fokusi kryesor i këtij smartphone-i. Në pjesën e pasme gjenden 4 të tilla: ajo kryesore 50MP me sensor 1 inç, 50MP me aftësi ultrawide dhe macro, mid-range zoom 3.2x 75mm, si dhe një tjetër lente telephoto 5x 120mm. Kamera selfie vjen me rezolucion 32MP. Që të gjitha këto kamera janë të zhvilluara në bashkëpunim me Leica.
Për t’i dhënë më tepër kontroll përdoruesve mbi kameran në smartphone, Xiaomi 13 Ultra ofron një modalitet 50MP UltraRAW, duke i lënë të gjithë fotografëve hapësirë për editim në programe të ndryshme. Gjithashtu në pjesën e pasme Xiaomi ka vendosur të përdorë lëkurë sintetike antibakteriale që arrin të eleminojë 99% të baktereve.
Në pjesën e parme gjendet ekrani 6,73 inç AMOLED me refresh rate 120Hz, dhe Xiaomi pretendon se ky panel mund të arrijë një ndriçim maksimal prej 2600 nits. Sigurisht që proçesori që do të fuqizojë pajisjen do të jetë Snapdragon 8 Gen 2 që shoqërohet nga konfigurime të ndryshme memorie: 12/256GB, 16/512GB si dhe 16GB/1TB.
Bateria me kapacitet 5,000mAh mund të karikohet shpejt 90W me kabllo dhe 50W wireless. Në Kinë ky smartphone do të shitet me një çmim fillestar prej €795.