Xiaomi po përgatitet të lançojë në datën 18 prill aksesorin e ri smart Mi Band 8. Për nga pamja, kjo pajisje duket identike me serinë paraardhëse, përveç mekanizmit të ridizenjuar të mbajtjes së rripit. Me sa duket kompania dëshiron që ju të nisni tani ta mbani Mi Band 8 si një varëse.
Themeluesi i Xiaomi publikoi një fotografi të këtij aksesori në hapësirën e tij në Weibo ku tregonte se si ky aksesor smart mund të mbahej në qafën e përdoruesit. Duke shfrytëzuar këtë mundësi, Xiaomi do të nisë shitjen dhe të aksesorëve për të shndërruar Mi Band 8 në varëse.
Dhe pse mbajtja në këtë formë është mjaft e veçantë, nuk është shumë praktike. Disa nga shërbimet si monitorimi i oksigjenit në gjak apo i rrahjeve të zemrës mund të mos funksionojë, pasi është e nevojshme që sensorët të jenë në kontakt me lëkurën në momentin e matjes së këtyre parametrave.
Pra, ju do të mund ta mbani si varëse Mi Band vetëm në momentet kur dëshironi të masni hapat tuaja, distancën dhe kaloritë e shpenzuara gjatë një aktiviteti.
Drejtuesi ekzekutiv i Xiaomi prezantoi gjithashtu dhe disa opsione të reja për rripat e Mi Band 8, duke përfshirë këtu një rrip lëkure, metalik dhe me material të endur.