Me afrimin e ditës së Tokës, Apple ka premtuar se do të përdorë bateri më miqësore ndaj mjedisit duke nisur nga viti 2025.
Kompania tregon se kobalti i gjendur në këto bateri do të jetë 100% i ricikluar, së bashku me elementet e rralla që gjenden në magnetët e përfshirë në këto pajisje. Gjithashtu në dizajnin e qarkut të bordit do të përdoret vetëm veshje me ar të ricikluar dhe saldim me kallaj.
Ky është një ndryshim i konsiderueshëm për kompaninë, pasi vetëm 25% e kobaltit të përdorur nga Apple vitin e kaluar u riciklua. Megjithatë kompania përdor prej kohësh 73% të elementëve të rralla të ricikluara si dhe kallaj 38% të ricikluar.
Apple shpreson që të shndërrohet në një kompani neutrale për sa i përket prodhimit të karbonit deri në vitin 2030, por ka një rrugë të gjatë në këtë mision. Vitin e kaluar vetëm 20% e materialeve në hardware u ricikluan apo rinovuan.
Qëllimi për riciklimin e kobaltit është ndër më të rëndësishmit, për shkak të ndikimit që ka mbi planetin tonë. Ky material përdoret gjerësisht në bateritë e pajisjeve elektrike, duke përfshirë këtu dhe bateritë e makinave elektrike, por proçesi i sigurimit të kobaltit kontaminon ajrin ujin dhe tokën, si dhe sjell probleme shëndetësore për minatorët dhe popullsinë në përgjithësi.
Duke ricikluar kobaltin nga bateritë e vjetra, ulet kërkesa për këtë mineral.