Google planifikon që të ndalojë aksesimin e të dhënave personale si fotografitë, videot apo kontaktet për të gjithë aplikacionet që i japin hua individëve apo ato që lehtësojnë proçesin e dhënies së huave, pasi në kohët e fundit është rritur sjellja predatore e disa huadhënësve që ngacmojnë klientët e tyre.
Gjigandi i kërkimit përmirësoi politikat e Personal Loans ditën e mërkurë në Play Store duke përmendur këtu dhe masat e reja parandaluese që ndalojnë aplikacione të tilla nga aksesimi i fotove, videove, kontakteve, vendndodhjes preçize si dhe historisë së telefonave.
“Aplikacionet që ofrojnë dhënien e huave personale, apo që kanë si qëllim primar lehtësimin e këtij proçesi, e kanë të ndaluar që të aksesojnë të dhënat sensitive të përdoruesve.” tregon kompania në këtë postim.
Ky vendim u mor pasi është vënë re një trend i ri, kryesisht në Kenia dhe Indi, ku huadhënësit kanë ngacmuar klientët e tyre në lidhje me shlyerjen e huasë, duke shfrytëzuar këto të dhëna. Agjentët kishin nisur të aksesonin të dhënat e përdoruesve, madje në disa raste dhe kanë manipuluar fotografi për të frikësuar klientët që të rikthenin paratë e marra borxh.
Në mënyrë tragjike, shumë nga këto viktima të vendosur nën një presion shumë të madh, i kanë dhënë fund jetës së tyre.