Sa më shumë që i afrohemi verës, aq më shumë informacione nisin të qarkullojnë rreth pajisjeve të palosshme nga Samsung. Kësaj here janë publikuar informacione të reja rreth Galaxy Z Flip 5, me një ekran të jashtëm të përmirësuar dhe të zgjeruar.
Renderat e parë të krijuraa nga fansat e kompanisë na tregojnë se si Galaxy Z Flip 5 mund të duket në jetën reale. Siç mund të shikoni nga fotografia, ekrani i jashtëm në Galaxy Z Flip 5 pritet të jetë pak më i madh se në gjeneratat e mëparshme, duke zënë më tepër se 3/4 e hapësirës. Modelet e mëparshme me ekranin shumë të vogël nuk ofronin shumë shërbime, mirëpo zhvilluesit e palës së tretë krijuan aplikacione të posaçme për shfrytëzimin sa më të mirë të kësaj hapësire.
Technizo Concept ka publikuar një video-koncept të ri në YouTube rreth kësaj pajisje, duke na treguar nga kënde të ndryshme se si Z Flip 5 do të duket. Ndryshimi më i rëndësishëm duket të jetë bërë në ekranin e jashtëm, pasi pjesa tjetër është e ngjashme me gjeneratat e mëparshme.
Sigurisht informacionet e publikuara deri më tani janë vetëm leaks, dhe ekziston një mundësi që të mos jenë të sakta ose që Samsung ta ndryshojë dizajnin deri në datën e lançimit të pajisjeve.