Më tepër reklama do të vijnë së shpejti në Instagram, dhe kësaj here ato do të pushtojnë dhe seksionin e rezultateve të kërkimit. Përmes një postimi në blog, Instagram tregon se ka nisur të lejojë kompanitë që të vendosin reklama në feed, që shfaqen pasi ju klikoni në një postim të dalë nga rezultatet e kërkimit.
Për momentin ky ndryshim është duke u testuar në disa shtete të ndryshme, dhe pritet të vijë drejt të gjithë përdoruesve në muajt në vijim.
Dhe pse Instagram tregon se reklamat “do t’i shfaqen njerëzve që po kërkojnë vazhdimisht për një biznes, produkt apo përmbajtje”, zëdhënësi i kompanisë Shenny Barboza konfirmoi se “reklamat do të shfaqen në bazë të termave të përdorur në kërkim brenda rregullave të vendosura në komunitet”.
Përveç reklamave në rezultatet e kërkimit, Instagram do të prezantojë gjithashtu dhe “reklamat kujtuese”, të cilat janë më pak të bezdisshme se reklamat e tjera. Ato do të dërgojnë njoftime në smartphone-in tuaj për t’ju kujtuar rreth një eventi të rëndësishëm, megjithatë njoftimi do të vijë vetëm nëse ju jeni të interesuar.
Shembulli i treguar nga Instagram përfshinte një shërbim “Remind me” të integruar në reklama për premierën e serialit The Walking Dead. Klikimi në këtë opsion bën që ju të kujtoheni nga Instagram 15 minuta para nisjes së këtij eventi.