Një tjetër inovacion pritet të vijë së shpejti në fushën e inteligjencës artificiale. CTO i Microsoft Germany, Andreas Braun ka lajmëruar se kompania do të prezantojë GPT-4 gjatë javës së ardhshme. Kjo është gjenerata e 4-t e large language model (LLM) që do të mundësojë gjenerimin e videove nëpërmjet AI. Braun e konsideron këtë zhvillim shumë të rëndësishëm në AI pasi do të jetë një tjetër hap drejt interpretimit sa më të saktë nga kjo teknologji.
Për të gjithë personat që mendojnë se do të mbeten pa punë nga zgjerimi i shpejtë i inteligjencës artificiale, CEO e Microsoft Germany, Marianne Janik, tregon se AI nuk do të ketë një ndikim të tillë.
Me GPT-4, Bing do të fitojë gjithashtu aftësi të reja, duke qenë më efficient në kërkimin e informacioneve dhe duke gjeneruar përgjigje akoma dhe më të shpejta. Me shumë mundësi kjo gjeneratë do të ketë aftësi multimodale, pra përdoruesit do të jenë në gjendje të ndërveprojnë nëpërmjet modaliteteve të ndryshme si përshembull me tekst, zë, imazhe dhe video. Gjenerata e mëparshme ishte në gjendje të gjeneronte vetëm përgjigje në tekst.
Duke u bazuar në GPT-4, OpenAI po punon për të krijuar një aplikacion të veçantë ku njerëzit do të mund të gjenerojnë video duke përdorur AI. Raportimet tregojnë se gjenerata e re e teknologjisë AI do të gjenerojë përgjigje shumë më të ngjashme me njerëzit dhe do të integrohet së shpejti dhe në Bing.