WhatsApp ka nisur testimin e një shërbimi të ri që do të lejojë “skadimin” e një group chat-i pas një kohe të caktuar në platformë. Kjo është mënyra më e re me të cilën Meta kërkon të adresojë problemin e “grupeve zombie”, ku mbeten të pranishëm shumë pak anëtarë të cilët e mbajnë gjallë një grup që nuk përdoret më për të biseduar.
Me shumë mundësi në WhatsApp-in tuaj gjenden grupe të ndryshme që janë hapur për të diskutuar organizmin e një eventi të caktuar, dhe pas përfundimit të këtij eventi, grupi qëndron më kot hapur, pasi në të nuk zhvillohen më biseda.
WhatsApp është në dijeni të këtij problemi, dhe së shpejti do të bëjë të mundur ofrimin e një zgjidhje të shpejtë. WABetaInfo ka raportuar për një shërbim të ri në versionet beta të platformës të quajtur “Expiring Groups” i cili do të lejojë përdoruesit të caktojnë një datë të caktuar skadence për t’u larguar nga grupi.
“Kur ky shërbim të aktivizohet, para ekranit tuaj do të shfaqet një prompt që do t’ju kujtojë për fshirjen e bisedave të zhvilluara.” tregon WABetaInfo. “Me prezantimin e këtij shërbimi, përdoruesit do të mund të përzgjedhin një afat të caktuar kohor si përshembull një ditë, një javë, apo një datë të caktuar për të dalë automatikisht nga një grup.”
Shërbimi do të aktivizohet për individë të caktuar, dhe jo për të gjithë pjesëmarrësit në një grup.