Prej shumë kohësh e kemi diskutuar që ky shërbim po përgatitej, dhe tani duket se Netflix është gati të ekzekutojë planin për pengimin e shpërndarjes së password-it për adresat e abonuara.
Më poshtë do të tregojmë se si do të funksionojë kjo strategji.
“Për të siguruar akses të pandërprerë në Netflix, lidhuni me Wi-Fi në vendndodhjen tuaj primare, hapni aplikacionin e Netflix ose në website dhe shikoni një përmbajtje çdo 31 ditë. Në këtë mënyrë do të krijohet një pajisje e besuar ku ju mund të shikoni Netflix, dhe kur jeni larg nga vendndodhja juaj kryesore.” tregon kompania përmes një dokumenti të ri të publikuar në Help Center.
Megjithatë nëse ju jeni duke udhëtuar, do të jeni në gjendje të shikoni Netflix thjesht duke u loguar në adresën tuaj. Nëse një gjë e tillë zgjat për shumë kohë, ndoshta më tepër se 31 ditë, Netflix tregon se pajisja juaj mund të bllokohet nga shikimi i filmave në Netflix. Zgjidhja e përkohshme është kërkimi i një “kodi të përkohshëm për aksesimin në adresë”, sipas Netflix.
Sigurisht që kjo gjë nuk parapëlqehet nga shumica e përdoruesve të Netflix, të cilët e shpërndanin adresën e tyre me miq të ndryshëm, por kjo strategji është pjesë e lëvizjes së kompanisë për të rritur numrin e përdoruesve në platformë.