Për shumicën e përdoruesve të Instagram Adam Mosseri ka një lajm mjaft të mirë. Gjatë serisë Q&A të përjavshme në adresën e tij në Instagram, drejtuesi i platformës tregoi se vitin e kaluar u nxit shumë publikimi i videove, dhe në vitin 2023 kjo gjë do të ndryshojë.
“Unë mendoj se ne u fokusuam shumë më tepër tek videot gjatë 2022 dhe rritëm shumë shpërndarjen e tyre, duke lënë mënjanë fotografitë e publikuara në platformë. Që nga ajo kohë ne i kemi balancuar gjërat dhe kemi vënë re se pëlqimet apo komentet në fotografi dhe video janë pak a shumë të barabarta. Kjo është një shenjë e mirë që tregon se gjërat janë balancuar.”
Më tej Mosseri tregon se fotografitë do të mbeten nën fokusin kryesor të Instagram dhe se do të punohet fort për të ruajtur një balancë midis dy formateve.
Gjatë vitit të kaluar pamë shumë përdorues të Instagram, madje ksihte dhe reagime nga persona të njohur, të cilët bënë thirrje që Instagram të mos humbte identitetin e tij dhe të shndërrohej në një “TikTok të dytë”. Kjo gjë erdhi pasi Reels filluan të shfaqeshin kudo në Instagram duke ndryshuar mënyrën e përdorimit të aplikacionit.