Instagram ka vendosur të heqë seksionin “Shop” nga opsionet kryesore të navigimit për të rikthyer butonin “Create”.
Nëpërmjet një postimi në Help Center, Instagram lajmëroi se do të hiqte këtë seksion nga aplikacioni. Kjo lëvizje mund të jetë surprizuese për shumë persona, pasi seksioni “Shop” gjendej në butonat e navigimit të shpejtë që nga nëntori i vitit 2020.
Kompania tregoi se ndryshimi do të bëhet në shkurt të këtij viti, ku butoni “Create” do të rivendoset në qendër të rrjeshtit, ndërkohë që opsioni Reels do të spostohet djathtas.
“Duke filluar nga muaji shkurt ne do të ndryshojmë ikonat e navigimit në Instagram për ta bërë më të thjeshtë që njerëzit të shpërndajnë përmbajtjet e tyre dhe të ndërlidhen me miqtë. Rrjeshti me ikonat e navigimit do të ketë në qendër ikonën Create për krijimin e përmbajtjeve, ndërsa Reels do të spostohet djathtas.” lexohet në postimin e kompanisë.
“Ju do të keni mundësi sërisht të krijoni dhe drejtoni dyqanin tuaj në instagram ndërkohë që ne vazhdojmë të investojmë në krijimin e eksperiencave të reja për blerjet që ofrojnë vlerën më të madhe për njerëzit dhe bizneset në feed, stories apo reklama.” shtoi Instagram.