Politikanët amerikanë kanë nisur të kërkojnë ndalimin e përdorimit të TikTok në SHBA. Mike Gallagher dhe senatori Marco Rubio kanë prezantuar një legjislacion të përbashkët që kërkon bllokimin e transaksioneve të të gjitha kompanive të influencuara nga Kina, Rusia, Kuba, Irani, Korea e Veriut apo Venezuela.
Akti ANTI-SOCIAL CCP ka si qëllim të ndalojë aksesimin e TikTok dhe aplikacioneve të tjera që teorikisht mund të vjedhin të dhënat e qytetarëve amerikanë dhe t’ia dhurojnë qeverive shtypëse, të censurojnë lajmet apo të manipulojnë publikun.
Edhe pse TikTok ka marrë disa masa për të distancuar operacionet ndërkombëtare nga Kina, si përshembull ruajtja e të dhënave të përdoruesve amerikanë në SHBA, kritikët kanë treguar se kompania mëmë ByteDance ka lidhje të forta me qeverinë kineze. Sipas tyre TikTok mund të profilizojë përdoruesit e qeverisë dhe të mbikëqyrë lëvizjet e tyre.
Nga ana tjetër, zëdhënësi i TikTok tha se fakti që anëtarët e Kongresit po hartojnë një legjislacion që ndalon aksesimin e TikTok para përfundimit të rishikimit është mjaft shqetësues. “Ky projektligj nuk do të ndihmojë aspak sigurinë kombëtare,” tregon Tiktok.
Maryland dhe South Dakota janë dy ndër shtetet e para të cilat e kanë dënuar përdorimin e TikTok në pajisjet e qeverisë.