Komentet toksike dhe fyese në YouTube prej kohësh kanë qenë në qendër të vëmendjes së kompanisë, krijuesve dhe përdoruesve. Shpesh herë kompania ka tentuar të shmangë këtë fenomen duke i dërguar një paralajmërim individëve. Mirëpo tashmë YouTube ka nisur prezantimin e një shërbimi të ri që do të shmangë komentet negative të këtyre përdoruesve dhe do të marrë masa mbrojtëse më të forta.
YouTube ka vendosur t’i dërgojë një njoftim përdoruesve të cilëve i janë fshirë komentet abuzive që shkelin rregullat e plaftorëms. Në rast se përdoruesi nuk e respekton këtë njoftim dhe vazhdon të publikojë komente të tjera fyese, atëherë YouTube do ta dënojë atë për 24 orë nga publikimi i komenteve.
Kompania tregon se ka testuar këtë shërbim para se ta prezantonte publikisht dhe zbuloi se njoftimet rezultuan të suksesshme. Për momentin, zbulimi i komenteve fyese është i vlefshëm vetëm për komentet në gjuhën angleze, mirëpo me kalimin e kohës do të shtohen dhe gjuhët e mbështetura.
“Qëllimi ynë është të mbrojmë krijuesit nga përdoruesit që përpiqen të ndikojnë negativisht në komunitet përmes komenteve, si dhe të ofrojmë më tepër transparencë ndaj përdoruesve të cilëve iu fshihen komentet për shkak të shkeljes së rregullave të YouTube.” tha kompania përmes një deklarate.