Samsung ka nisur të punojë për të rritur sigurinë e kyçjes së smartphone-ve nëpërmjet shenjës së gishtit. Sipas një interviste të kryer në kohët e fundit, bëhet e ditur se kompania po mendon të bëjë të mundur skanimin e disa gishtërinjve njëherazi për të rritur sigurinë.
Dieter May, CEO i Isorg, një kompanie franceze që fokusohet në teknologjinë e skanimit të shenjës së gishtave, tregoi në një intervistë se Samsung ka nisur zhvillimin e ekraneve të reja “OLED 2.0” që do të suportojnë skanimin e disa gishtave njëkohësisht. Ai shtoi gjithashtu se kompania është e interesuar në shndërrimin e të gjithë ekranit në një hapësirë që do të lexojë shenjën e gishtit.
Sipas gjigandit të teknologjisë, skanimi i 3 gishtërinjve është 2,500,000,000 herë më i sigurtë se përdorimi i një gishti të vetëm për verifikim. Gjithashtu mundësia për të vendosur gishtat në çdo hapësirë të ekranit do ta lehtësojë shumë proçesin e zhbllokimit të smartphone-it.
Nuk ka ende një deklaratë zyrtare nga Samsung se kur këto lloje ekranesh do të dalin në qarkullim, por May parashikon se ekranet do të përdoren në smartphone rreth vitit 2025. Ai shtoi se kompania e tij po pret që të ketë interesim dhe nga Apple për këtë teknologji.