Elon Musk tregoi gjatë ditës së mërkurë se beson që çipi i trurit i krijuar nga kompania e tij Neuralink do të jetë gati të testohet në njerëz brenda 6 muajsh.
Çipi i Neuralink është dizenjuar për të ndihmuar personat me aftësi të kufizuara të lëvizin dhe të komunikojnë sërisht, ndërkohë që Musk shtoi se do të punohet fort për të rikthyer shikimin tek pacientët me shikim të dëmtuar.
“Ne duam të jemi shumë të kujdesshëm dhe të sigurt se kjo gjë do të funksionojë para se ta implementojmë në trurin e një njeriu,” tha Musk gjatë deklaratës së tij. Ai theksoi gjithashtu dhe shpejtësinë e avancimit të këtij projekti pas 6 muajsh.
“Fillimisht progresi mund të jetë shumë i ngadaltë gjatë periudhës së implementimit të çipit në trurin e njerëzve, megjithatë pritet që ky progres të jetë eksponencial.”
Musk tregon se Neuralink është një projekt shumë i rëndësishëm, pasi qëllimi i tyre është të rikthejë lëvizjen e muskujve në pacientët që nuk mund të lëvizin dhe të rikthejnë apo të mundësojnë shikimin në persona që janë verbëruar ose kanë lindur të verbër.
Më tepër se një vit më parë u publikuan disa testime tek kafshët, ku mund të shikonim një majmun me një çip në tru ndërkohë që luante një video-lojë i vetëm.