Meta Platforms Inc. u gjobit me $277 milionë pasi nuk arriti të parandalonte publikimin e të dhënave personale të më tepër se 500 milionë përdoruesve në shërbimin e saj Facebook.
Irish Data Protection Commission, rregullatori kryesor për sigurinë e Meta në Bashkimin Evropian, vendosi këtë gjobë pas përfundimit të hetimeve, ku u zbulua se kompania nuk ka arritur të aplikojë masat mbrojtëse strikte të kërkuara nga General Data Protection Regulation.
Mbi këtë gjobë masive, rregullatori urdhëroi Meta që të sigurohej se metodat e tyre të punës respektojnë ligjin vendas.
Hetimet u hapën pas shfaqjes në internet të “një grupi të dhënash personale të përdoruesve të Facebook” të cilat i përkisnin 533 milionë përdoruesve në mbatë botën. Këtu përfshiheshin numrat e telefonit të tyre së bashku me adresën e email-it.
Facebook u mundua të mbrohej me faktin se këto të dhëna ishin të vjetra dhe se problemi në sistem tashmë është rregulluar. “Gjatë kohës në fjalë ne kemi bërë shumë ndryshime në sistemet tona, duke përfshirë këtu heqjen e mundësisë së grumbullimit të të dhënave të përdoruesve duke përdorur numrat e telefonit. Kjo gjë është kundër rregullave dhe politikave tona.” u shpreh kompania.
Gjobat më të mëdha të vendosura nga GDPR janë ato prej €764 milionësh drejtuar Amazon dhe €405 milionësh drejt Instagram.