Samsung po planifikon të prezantojë serinë Galaxy S23 gjatë eventit të parë Unpacked për 2023, i cili do të mbahet në javën e parë të muajit shkurt. Kjo gjë u bë e ditur nga një raportim korean që citonte fjalët e një drejtuesi të lartë në kompani që ka dijeni rreth kësaj çështjeje.
Ky event do të organizohet me praninë e personave për herë të parë që nga fillimi i pandemisë, dhe me shumë mundësi do të mbahet në San Francisco. Më pas kompania do të lançojë globalisht këtë seri më vonë gjatë muajit shkurt.
Ky nuk është raportimi i parë korean që tregon për të njejtën datë organizimi për eventin Unpacked, gjë që rrit besueshmërinë e raportimeve.
Megjithatë qarkullojnë dhe fjalë se Samsung po mendon të prezantojë Galaxy S23 gjatë CES 2023 në janar, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur kurrë më parë me serinë S të kompanisë, dhe është tepër e vështirë që të ndodhë gjatë këtij viti.
Samsung ka vendosur të përfshijë në të gjithë serinë S23 proçesorët Snapdragon 8 Gen 2, duke lënë pas proçesorët Exynos që prodhohen nga vetë kompania.