Ditën e djeshme Qualcomm prezantoi proçesorin më të ri flagship, Snapdragon 8 Gen 2. Performanca në këtë çip është përmirësuar në të gjitha drejtimet në krahasim me Snapdragon 8 Gen 1 dhe këtë gjë do ta shikojmë së shpejti në të gjitha pajisjet me Snapdragon 8 Gen 2 që do të prezantohen së shpejti.
Qualcomm është fokusuar në përmirësimin e efiçiencës së energjisë, ndërkohë që shpejtësitë janë përmirësuar në mënyrë të konsiderueshme. CPU i ri Kryo sjell performancë deri në 35% më të lartë me efiçiencë 40% më të lartë.
Kryo Prime core 3.2GHz sjell një performancë të lartë në të gjitha proçeset single-threaded. Ajo është e mbështetur nga 4 performance cores që punojnë në 2.8GHz si dhe 3 efficiency cores 2.0GHz.
Gjenerata e dytë e këtij proçesori sjell mbështetje për teknologjitë e reja më të shpejta të memories. Për sa i përket RAM, mbështetet LP-DDR5X deri në 4,200MHz, ndërkohë që për memorien e brendshme suportohet formati UFS 4.0.
Adreno GPU i ri premton një rritje të performancës me 25% si dhe efiçiencë të rritur deri në 45%. Është bërë i mundur gjithashtu ofrimi i shërbimit ray-tracing, një teknologji që pritet të mbështetet shumë shpejt nga zhvilluesit e lojrave për mobile.
Për më tepër Snapdragon 8 Gen 2 mbështet pajisjet me ekrane QHD+ 144Hz apo 4K në 60Hz, sensorët e rinj të fotografive 200MP si ai i Samsung, regjistrim videosh deri në 8K HDR 30fps, Bluetooth 5.3 si dhe teknologjinë e re Wi-Fi 7.