Shërbimi më i ri i cili u bë i mundur në serinë më të re të iPhone, Always on Display, është një ndër shërbimet më të shumëpritura nga përdoruesit e këtyre smartphone-ve. Mirëpo disa prej tyre nuk ishin shumë të kënaqur me mënyrën se si ky shërbim funksionon, kryesisht sepse shpenzon shumë energji.
Në versionin më të ri beta të iOS 16.2 që erdhi drejt zhvilluesve këtë mëngjes, Apple ka shtuar disa funksione të reja në seksionin e Always on Display për modelet Pro.
Kur të klikoni mbi këtë shërbim në Settings, para jush do të shfaqen dy opsione të reja për aktivizimin apo çaktivizimin e njoftimeve kur Always on Display është aktive. Duhet të kujtojmë se opsionet e reja do të aksesohen duke klikuar në Settings > Display and Brightness > Always on Display.
Çaktivizimi i sfondit në opsione do të bëjë të mundur që sfondi juaj të mos jetë më i dukshëm kur shërbimi të jetë aktiv, dhe e njejta gjë do të ndodhë dhe me njoftimet, duke lënë kështu të pranishme vetëm kohën dhe ëidgets që ju keni të instaluara në Home Screen.
Në këtë mënyrë të gjithë personat që dëshirojnë një pamje më të thjeshtë dhe të kursejnë paksa baterinë do të kenë mundësinë të personalizojnë Always on Display sipas dëshirës së tyre.