Në postimet më të fundit NASA ka shfaqur fotografitë mahnitëse të shkrepura nga teleskopi hapësinor Hubble gjatë javës së kaluar.
Agjensia hapësinore publikoi pamjet e treshes së galaktikave Arp 248, të njohura dhe si “Wild’s Triplet” për vetë zbuluesin dhe natyrën ekstravagante të këtij spektakli.
Në fotografi mund të shikohen 2 nga 3 galaksitë në planin e parë të boshllëkut të hapësirës, duke u lidhur me njëra tjetrën njësoj si të ishin pikturuar me penel dhe duke formuar fenomenin e ashtuquajtur “Tidal Tail”. Një tjetër galaksi e shkëputur nga dy të parat mund të shikohet në pjesën e pasme, e ndriçuar nga drita të vogla që përfaqësojnë praninë e shumë më tepër galaksive të fshehura në univers.
Fakti me të vërtetë i pabesueshëm është se si Hubble ka arritur nga orbita e Tokës të shkrepë një fotografi të 3 galaksive 200 milionë vite dritë larg që mund të shikohen nga ekrani ynë i kompjuterit.
Ura ndërgalaktike është një fenomen që ndodh për shkak të tërheqjes së fuqishme gravitacionale, dhe dy galaksitë tërheqin njëra-tjetrën duke krijuar aksidentalisht “bishtin e baticës”, në të cilën gjendet një sasi e madhe gazi dhe yjesh.