Një nënkontraktor për ushtrinë kineze ka publikuar një video ku tregon aftësitë tmerruese të teknologjisë së re ushtarake, ku mund të shikohet një qen robot i armatosur i cili ulet përmes një droni në taracën e një ndërtese.
Fillimisht kjo video u publikua në Weibo në faqjen zyrtare të këtij nënkontraktori, ku mund të shikohet droni që kontrollohet në largësi dhe që lëshon robotin në taracë. Pasi droni largohet, roboti ngrihet në 4 këmbët e tij dhe nis të skanojë për objektiva rreth ndërtesës me atë që duket të jetë një armë automatike e e lidhur në kurrizin e tij.
Sipas raportimit nga WarZone, kjo armë e montuar në qenin robotik është QBB-97 light machine gun, e cila është në gjendje të gjuajë 650 plumba në minutë në një largësi efektive prej 400 metrash. Në përshkrimin e përfshirë nën video shkruhet se arma mund të “lançojë një sulm surprizë”.
Teknologjia kineze dhe armë të tjera të ngjashme janë zhvilluar për t’u drejtuar nga humanët në distancë, mirëpo analistët e ushtrisë kanë frikë se këto robotë do të jenë në gjendje në të ardhmen të operojnë me autonomi të plotë.
Këto armë mund të jenë shumë të rrezikshme për forcën kundërshtare, pasi ato mund të hidhen në zona të thella pas linjës kundërshtare të cilat kanë qenë shumë të vështira për t’u arritur më parë.