Foxconn ka lajmëruar ditën e premte se prodhimi i iPhone-ve në fabrikën më të madhe të kompanisë vazhdon me ritme normale, pavarësisht kufizimeve të vendosura për shkak të përhapjes së COVID-19 në qytetin Zhengzhou.
Në kampusin e Zhengzhou punojnë rreth 300,000 punonjës, dhe për t’iu përshtatur rregullave të reja atyre iu duhet të marrin ushqimet me vete në vendet e fjetjes dhe të mos përdorin më mensën. Kjo gjë u bë e ditur përmes një mesazhi të publikuar nga adresa zyrtare e fabrikës në WeChat.
“Fabrika në Zhgengzhou vazhdon normalisht prodhimin dhe është ndikuar shumë pak nga kufizimet e reja.” tha Foxconn për Reuters.
Masat e reja vijnë pasi në Zhengzhou ka nisur përhapja e një vale të re të COVID-19, me një numër total prej 196 rastesh që nga 8 tetori. Kjo është një periudhë tepër e ngarkuar për Foxconn pasi është duke prodhuar në kapacitet të plotë modelet më të reja të iPhone 14.