Teksas ka nisur një betejë gjyqësore kundër Google pasi ka zbuluar se kjo kompani ka grumbulluar të dhënat biometrike të miliona qytetarëve pa kërkuar lejen e tyre. Kjo gjë u bë e ditur nga deklarata e prokurorit të përgjithshëm gjatë ditës së enjte.
Në ankesën e paraqitur tregohet se kompanitë që operojnë në Teksas e kanë të ndaluar prej më tepër se 1 dekadë grumbullimin e të dhënave biometrike si fytyra, zëri apo shenjat e gishtërinjve pa marrë një leje të avancuar dhe mirëinformuar.
“Në kundërshtim flagrant me ligjin, Google që nga viti 2015 ka grumbuluar të dhënat biometrike nga miliona qytetarë të Teksasit dhe ka përdorur zërin dhe fytyrën e tyre për të plotësuar nevojat e reklamimit.” lexohet në ankesë. “Në të vërtetë, të gjithë qytetarët janë bërë burim fitimesh dhe përdoren nga Google për përfitimet e tyre.”
Grumbullimi i këtyre informacioneve besohet të jetë kryer përmes aplikacioneve si Google Photos, Google Assistant dhe Nest Hub Max. Google tregoi se do të luftojë kundër kësaj beteje ligjore, pasi të gjitha shërbimet e lartpërmendura ofrojnë një shërbim për parandalimin e grumbullimit të informacioneve biometrike.
“Prokurori i përgjithshëm Paxon po karakterizon në mënyrë të gabuar dhe të përsëritur produktet tona përmes një tjetër beteje ligjore pa kuptim.” tha zëdhënësi i Google Jose Castaneda.