Autoritetet ruse kanë shtuar Meta – që zotëron Facebook dhe Instagram – në listën e organizatave terroriste dhe ekstremiste, raporton agjencia Interfax e vendit. Ajo pasoi njoftimin e Metës se do të lejonte postime të tilla si “vdekje pushtuesve rusë”, por jo kërcënime të besueshme kundër civilëve. Meta apeloi kundër ndalimit, por ai u la në fuqi nga një gjykatë e Moskës në qershor.
Ndalimi nuk zbatohej për WhatsApp, të cilin Meta e zotëron gjithashtu. Gjigandi amerikan i teknologjisë ka hedhur poshtë akuzat se promovon ndjenja anti-ruse. Në mars, një zyrtar i Meta tha për BBC News se po bënte një përjashtim të përkohshëm nga politikat e saj, “në dritën e pushtimit të vazhdueshëm të Ukrainës”, për të lejuar të prekurit të “shprehin ndjenja të dhunshme ndaj forcave të armatosura pushtuese”.
Kompania është kontaktuar për komente në lidhje me zhvillimet e fundit. Sipas Interfax, vendosja në një listë të organizatave ekstremiste do të thotë se bankat mund të ngrijnë fondet e Metës në Rusi.
Por Instagram mbetet i madh në Rusi – dhe përdorimi i gjerë i rrjeteve virtuale private (VPN) do të thotë se ndalimi në platformë nuk i ka ndaluar njerëzit që ta përdorin atë. Megjithatë, ky emërtim i ri zyrtar si “terrorist” mund ta ndryshojë këtë. Mund të nënkuptojë se tani është vepër penale përdorimi i Instagramit, qoftë edhe përmes një VPN.
Është gjithashtu e paqartë nëse përcaktimi përfshin WhatsApp. Ndalimi i këtij, aplikacioni më i popullarizuar i mesazheve në Rusi, do t’i shkëputte qytetarët nga bota e jashtme në një mënyrë vërtet të thellë.