TikTok ka nisur të shpërndajë një shërbim në aplikacion i cili i lejon përdoruesit të bëjnë downvote komentet e personave të ndryshëm.
Butoni do të shfaqet pas ikonës së zemrës në seksionin e komenteve të cilën përdoruesit mund ta klikojnë. Fillimisht ky shërbim u prezantua në një testim në muajin prill, dhe tashmë duket se do të vijë për të gjithë përdoruesit në mbarë botën, sipas TikTok.
Nëse ju shtypni pa dashur këtë buton, mund ta hiqni downvote duke klikuar sërisht mbi të dhe i vetmi person që klikon mbi buton do të jetë në gjendje të shikojë këtë gjë.
Ndryshe nga numri i pëlqimeve që një koment merr, numri i downvotes nuk do të jetë i dukshëm për publikun, gjë që tregon se downvotes do të shërbejnë më tepër si një mjet moderimi indirekt. TikTok tregon se bërja downvote e një komenti “është një mënyrë e re për të vlerësuar komentet direkt nga komuniteti” dhe do të lejojë platformën të identifikojë akoma më mirë komentet e papërshtatshme.
Përveç downvote, përdoruesit munden gjithashtu të raportojnë përdoruesit në rast se janë shkelur rregullat e TikTok. Platforma të tjera si Reddit kanë pasur prej kohës shërbimin downvote, e cila shërben si një njësi matëse publike për dakordësinë e përdoruesve të tjerë me këtë koment.