Dhe pse Instagram lajmëroi se kishte ndaluar për momentin aplikimin e ndryshimeve që sollën shumë kundërshtime, madje nga vetë përdoruesit më të ndjekur në platformë, kjo gjë nuk do të thotë se kompania do të ndalojë së fokusuari në përmbajtjet full-screen. Gjatë rifreskimit të përjavshëm “Ask Me Anything”, CEO i Instagram Adam Mosseri konfirmoi se Instagram do të nisë testimin e fotografive ultra të gjata 9:16 “pas një ose dy javësh”.
“Për momentin ju mund të publikoni video sa i gjithë ekrani, mirëpo një gjë e tillë nuk ndodh me fotot. Prandaj ne menduam se duhet t’i trajtojmë të dyja formatet në mënyrë të ngjashme.” tha Mosseri. Aktualisht ju mund të publikoni në platformë fotografi vertikale deri në formatin 4:5.
Ridizenjimi i Instagram për t’i ngjasuar sa më tepër TikTok u kritikua nga disa fotografë për mënyrën se si i detyronte të gjitha fotografitë të shfaqen në një kornizë 9:16.
Të dhënat e grumbulluara nga vetë kompania tregojnë se dizajni i ri i Instagram nuk është shumë i pëlqyer nga përdoruesit, madje për shkak të këtyre ndryshimeve njerëzit filluan ta përdorin më pak aplikacionin. “Do të na duhet të bëjmë një hap mbrapa, të rigrupohemi dhe të zbulojmë se cila do të jetë mënyra me të cilën do të vazhdojmë para” tha Mosseri gjatë një interviste javën e kaluar.
Gjithashtu Instagram pritet të reduktojë dhe numrin e postimeve të rekomanduara në feed, pasi shumë përdorues nuk janë të kënaqur nga ky ndryshim.