Kompania mëmë e TikTok, ByteDance, ka aplikuar për një markë në U.S. Patent Trademark Office për një shërbim të quajtur “TikTok Music”. Nëpërmjet këtij aplikimi mund të kuptojmë se së shpejti ai mund të përfshihet në aplikacionin për mobile dhe do të lejojë përdoruesit të blejnë, luajnë, shkarkojnë dhe shpërndajnë muzikë.
Rrjeti social mjaft i njohur ofron aktualisht një mjet që ndihmon në zbulimin e këngëve të reja, dhe shpesh herë çon në rritjen e popullaritetit të tyre sa herë që përdoren si sfond në video virale. Një raportim i publikuar nga kompania gjatë vitit të kaluar tregoi se 175 këngë që u kthyen në trend në TikTok ishin gjithashtu pjesë e Billboard 100 Chart.
Mirëpo dhe pse TikTok rrit popullaritetin e këtyre këngëve, nuk ka ende një shërbim për transmetimin e këngëve për të përfituar para nga to. Përdoruesit, pasi dëgjojnë një këngë në TikTok shkojnë menjëherë drejt platformave të tjera si Spotify apo Apple Music për ta dëgjuar atë.
ByteDance ofron aktualisht një shërbim për transmetimin e këngëve të quajtur Resso, mirëpo ajo është prezente vetëm në Indi, Brazil dhe Indonezi. Resso ofron një ndërfaqje të ngjashme me TikTok, ku ju mund të kaloni nga një këngë në tjetrën duke bërë swipe.