Arlo, Apple, Wyze dhe Anker kanë konfirmuar se nuk do t’i dorëzojnë autoriteteve akses në përmbajtjet e regjistruara nga kamera juaj e shtëpisë në qoftë se ato nuk paraqesin një mandat kërkimi.
Nëse ju po mendoni se përse këto kompani po e specifikojnë këtë gjë, duhet të mësoni se nga ana tjetër Google dhe Amazon do të bëjnë të kundërtën: ato do të lejojnë policinë të marrin këto të dhëna pa patur nevojën për një mandat, mjafton që policia të tregojë se “ka një rast emergjent”.
Politikat e privatësisë së Google janë të ngjashme me ato të Amazon, duke treguar kështu se autoritetet qeveritare mund të aksesojnë të dhënat nga produktet Nest – ose teorikisht të gjitha të dhënat që ju ruani në Google, pa patur nevojën për mandat kërkimi.
Dhe kompanitë e tjera i dorëzojnë të dhënat e përdoruesve drejt autoriteteve, mirëpo ndryshimi i vetëm është se ato nuk do të bëjnë përjashtime për “situatat e emergjencës”. Disa kompani si Apple dhe Eufy e Anker nuk zotërojnë vetë akses në të dhënat e përdoruesit, falë përdorimit të end-to-end encryption.
Google nuk ka nisur ende të shpërndajë të dhëna në bazë të kërkesave, ndërkohë që Amazon nga ana tjetër ka plotësuar 11 kërkesa të tilla gjatë këtij viti.