Motorola ka konfirmuar se eventi i lançimit të Moto Razr 2022 do të mbahet në datën 2 gusht në Kinë, ku smartphone-i i palosshëm do të prezantohet së bashku me Moto X30 Pro. Mirëpo përcaktimi i kësaj date nuk është dhe aq i rastësishëm sa duket, pasi nga ana tjetër Samsung ka lajmëruar se do të organizojë një event “Unpacked” në datën 10 gusht, ku pritet të prezantohen pajisjet e palosshme, së bashku me disa aksesorë të tjerë si Galaxy Watch.
Moto Razr 2022 do të jetë versioni i 3-të në këtë seri, dhe për shkak të përfshirjes së specifikave flagship për herë të parë në këtë smartphone, do të jetë shumë interesant krahasimi me Galaxy Z Flip.
Mendohet se Samsung do të rrisë sërisht çmimin e Galaxy Z Filp 4 me $40, nga $1,049 në $1,089, dhe nëse Moto Razr do të ketë një çmim më të ulët, mund të bëhet me të vërtetë një rival i konsiderueshëm i Z Flip. Megjithatë, duke ditur se Moto Razr i kaluar ishte $200 më i shtrenjtë se Galaxy Z Flip, është tepër e vështirë që pajisja e këtij viti të ketë një çmim më të lirë, duke konisderuar këtu dhe përdorimin e produkteve flagship.