Parandalimi i rritjes së qelizave kanceroze në trupin e njeriut është një ndër sfidat më të mëdha të shkencës moderne mjekësore. Megjithatë, një ekip studiuesish nga Max Planck Institute for Intelligent Systems pretendon se ka krijuar një terapi të avancuar të ndërmjetësuar nga bakteret për të luftuar përhapjen e qelizave kanceroze.
Në këtë trajtim përfshihet përdorimi i mikrorobotëve të drejtuar magnetikisht si transportues të ilaçeve. Këto mikrorobotë bëjnë të mundur çlirimin direkt të ilaçeve në tumore dhe shkatërrojnë qelizat kanceroze në një mënyrë efektive pa shkaktuar dhimbje.
“Ky transportim në vendin e duhur do të jetë shumë pak invaziv për pacientin, pa dhimbje, mbartin toksicitet minimal dhe ilaçet do të zhvillojnë efektin e tyre aty ku duhet dhe jo brenda të gjithë trupit.” tha Yunus Alapan, bashkë-autor i këtij studimi.
Mikrorobotët biohibridë premtojnë trajtimin e kancerit bazuar në terapinë e ndërmjetësuar nga bakteret (duke përdorur bakteret për të transportuar ilaçe ose për të lëshuar enzima në trupin e njeriut në pozicionin e dëshiruar). Kjo nuk është hera e parë që një taktikë e tillë përdoret, por problemi qëndron në faktin e vështirësisë së kryerjes së këtij trajtimi, pasi kërkohet përdorimi i një kombinimi perfekt midis teknikave të ndryshme.