Facebook ka vendosur të lejojë disa persona që të krijojnë dhe të përdorin disa profile të ndryshme si pjesë e një testimi. Lajmi u bë i ditur ditën e djeshme nga Meta, e cila po tenton mënyra të reja për të inkurajuar përdoruesit të mos largohen nga platforma, duke qenë se numrat e përdoruesve po biejnë dita-ditës.
Si pjesë e këtij testimi, disa përdorues të Facebook do të kenë mundësinë të krijojnë deri në 4 profile të tjera të lidhura me adresën kryesore. Idea pas këtij testimi është se profilet shtesë mund të përdoren për qëllime të ndryshme, si përshembull një për miqtë, një për kolegët e punës, dhe 2 adresa të tjera të lidhura me grupet e interesit dhe influencers.
Të gjitha këto profile do t’i përshtaten politikave të Facebook, dhe shkeljet në një profil do të konsiderohen si një shkelje nga të gjithë profilet e hapura, tha zëdhënësi Leonard Lam.
“Për të ndihmuar njerëzit në shfaqjen e një eksperience të bazuar në interesat dhe lidhjet e tyre, ne kemi nisur testimin e një opsioni të ri ku njerëzit do të kenë mundësinë të krijojnë më tepër se një profil të lidhur me një adresë të vetme në Facebook. Të gjithë përdoruesit e Facebook duhet të vazhdojnë të ndjekin rregullat tona.” tha Lam.
Përdoruesit që krijojnë profile të reja nuk kanë nevojë të përdorin identitetin e tyre të vërtetë në emërtimin e profilit, për sa kohë emërtimi nuk shkel politikat e Facebook.