Google Threat Analysis Group (TAG) ka identifikuar një firmë italiane të quajtur RCS Lab e cila zhvillon pajisje që përdoren për të shfrytëzuar dobësitë zero-day dhe për të sulmuar pajisjet Android dhe iOS në Itali dhe Kazakistan.
Sipas një postimi të Google në blog ditën e enjte tregohet se RCS Lab përdor një kombinim taktikash si faktorë infektimi. Në këtë mënyrë kompania fiton mundësitë për të spiunuar të dhënat private në pajisjet e sulmuara.
RCS Lab pretendon se ka filiale në Francë dhe Spanjë dhe në website-in e tij liston agjenci të ndryshme qeveritare evropiane si klientë të saj. Qëllimi i kësaj kompanie është të “sjellë zgjidhje teknike të avancuara në fushën e përgjimit të ligjshëm”.
Në një deklaratë për Reuters zëdhënësi i kompanisë u shpreh: ”Personeli i RCS Lab nuk është i ekspozuar dhe nuk merr pjesë në asnjë nga aktivitetet e kryera nga klientë të rëndësishëm”. Në website kompania tregon se ofron “zgjidhje teknike të plota në fushën e përgjimit të ligjshëm, me më tepër se 10,000 shënjestra të përgjuara brenda ditës vetëm në Europë.”
Google TAG tha se ka vëzhguar lëvizjet e fushatave të tilla, të cilat nisin me një link unik të dërguar drejt “shënjestrës”, i cili pasi klikohet kërkon nga “shënjestra” të instalojë një aplikacion të dëmshëm në pajisjet iOS apo Android.