Një anije gjigande e papërfunduar, e cila do të ishte një ndër anijet më të mëdha në botë për kapacitetin e saj, ka mbetur e ankoruar në një kantier detar, duke pritur të çmontohet dhe të shitet për skrap, pasi administratorët nuk arritën dot të gjenin një blerës.
Pjesa e poshtme e trupit të anijes së njohur si Global Dream II do të çmontohet dhe do të shiten me çmimin e skrapit sipas raportimit të An Bord. Makineritë dhe pjesa më e madhe e pajisjeve që kanë arritur në destinacion janë gati të shiten, sipas administratorit Christoph Morgen.
Tashmë Morgen është i fokusuar në anijen tjetër Global Dream, e cila është gati të pluskojë në dokun e Wismar, në veri të Gjermanisë.
Që të dyja anijet ishin porositur nga kompania Dream Cruises, e fokusuar në Azi, e cila falimentoi së bashku me kompaninë mëmë Genting Hong Kong më herët gjatë këtij viti pasi pandemia e COVID-19 uli ndjeshëm kërkesën për anije.
Me falimentimin e këtyre kompanive u ndërprenë dhe planet për përfundimin e ndërtimit të anijeve Global Dream. Morgen tregoi se nëse një blerës nuk do të gjendet gjatë javëve në vijim, ai do të nisë një ankand, ku persona të ndryshëm do të kenë mundësinë për ta blerë anijen.