Me sa duket Snapchat po përgatitet t’i ofrojë përdoruesve një plan të ri abonimi në rrjetin social të quajtur “Snapchat Plus”. Aktualisht ky shërbim po testohet nga një numër i limituar personash, të cilët po përfitojnë disa opsione më të avancuara.
Dhe pse Snapchat Plus është konfirmuar zyrtarisht nga Snap Inc., detajet nuk janë bërë ende të ditura. Për fat të mirë, zhvilluesi i njohur Alessandro Paluzzi ka bërë të ditur disa informacione mbi këtë shërbim. Ai tregon se personat që po testojnë planin Plus do të kenë akses në disa shërbime që nuk janë të pranishme në aplikacionin normal, si përshembull mundësia për të bërë pin një bisedë, ikona dhe një badge të veçantë.
Disa prej shembujve mund t’i shikoni dhe në fotografinë e mëposhtme.
Gjithashtu personat e abonuar në Snapchat Plus do të kenë mundësinë të shikojnë vendndodhjen e miqve të tyre brenda 24 orëve dhe se sa herë snap-et e tyre janë rishikuar. Sigurisht, shërbimi i parë do të bëhet i mundur vetëm pasi të aktivizohet shërbimi i shpërndarjes së vendndodhjes nga përdoruesit e tjerë.
Paluzzi arriti të zbulonte se Snapchat Plus do të kushtojë €4.59 në muaj ose €45.99 në vit. Megjithatë gjithçka mund të ndryshojë para publikimit të versionit final të këtij plani, veçanërisht çmimi.