TSMC, kompania që prodhon proçesorët e dizenjuar nga Apple, ka lajmëruar publikisht se në vitin 2025 do të nisë prodhimi i proçesorëve të avancuar vetëm 2nm.
Dhe pse Apple po nis përdorimin e proçesorëve prej 3nm, TSMC ka një plan të ri për nisjen e prodhimit të proçesorëve me madhësi më të vogël. Në vitin 2021, kompania morri lejen për të ndërtuar një fabrikë të re specifike për këtë proçes, dhe si fillim ishte parashikuar që proçesorët e parë të prodhoheshin në vitin 2023.
Sipas Nikkei Asia, bëhet e ditur se kompania do ta shtyjë datën e prezantimit me dy vite të tjera në 2025. Megjithatë nuk është bërë e ditur nëse Apple do të investojë menjëherë në këto proçesorë.
Në një deklaratë gjatë një simpoziumi, zëdhënësi i TSMC zbuloi gjithashtu se kompania po punon për të përdorur një arkitekturë të re të quajtur “nanosheet transistor architecture”. Kjo është një teknologji tepër e ndryshme krahasuar me atë të përdorur në proçesorët 5nm, dhe kërkon investime të reja.
Nikkei Asia raporton se dhe Samsung ka bërë të ditur planin për të prodhuar proçesorët 2nm në vitin 2025. Nga ana tjetër Intel ka nisur zhvillimin e teknologjisë së re 1.8nm, i cili pritet të dalë në treg në fund të vitit 2025.